
Ilir Deda ka paralajmëruar se, nëse sot nuk arrihet zgjidhje për leximin e dytë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe për zgjedhjen e presidentit, vendi mund të përfundojë pa ligj, pa president dhe pa një strategji të përbashkët.
“Nëse sot nuk arrihet asnjë zgjidhje për leximin e dytë të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit, kemi me përfundu pa ligj, pa president, pa u.d. president, pa strategji të përbashkët dhe të gjithë do të jemi humbës. Kështu do të dobësohet edhe mundësia që Apeli të ketë sukses”, ka shkruar Deda.
Sipas tij, LVV-ja dhe PDK-ja mund të arrijnë marrëveshje për hapat e ardhshëm.
“Sot LVV dhe PDK munden me u marrë vesh për hapat e radhës që na nxjerrin të gjithëve fitues. Në të kundërtën nuk ka asnjë garanci për sjellje ndryshe nga akterët e njëjtë pas zgjedhjeve në nëntor”, ka thënë ai.
Deda ka shtuar se, në mungesë të marrëveshjes, ekziston rreziku i një “dështimi kolektiv”, duke e lidhur këtë edhe me çështjen e luftës së UÇK-së.
“Por ka një garanci tjetër – ajo e dështimit kolektiv dhe humbjes së çfarëdo mundësie për çfarëdo suksesi në vendin tonë, duke përfshirë edhe çështjen kryesore – moslejimin e kriminalizimit të luftës së drejtë për liri”, ka shkruar Deda.



