
Shukrije Ramadani, gruaja e heroit të kombit Agim Ramadani, ka rrëfyer për bisedat rreth luftës.
Në një rrëfim emocional, zonja Ramadani ka treguar për një telefonatë me heroin Ramadani nga fronti i luftës.
“Një nga momentet më emocionale ka qenë kur më ka thirrur Agimi nga fronti dhe e ka hapur altoparlantin. Kam dëgjuar bombardimet e para të NATO-s më 24 mars. Zëri i tij ishte jashtëzakonisht emocionues. Më tha, ‘Unë po e shoh lirinë. Dëgjoje si janë jehonat e lirisë, si është zëri i lirisë. I gjithë qielli është zbardhur nga forcat e NATO-s që po godasin’. Kurrë nuk e harroj atë moment”, ka rrëfyer ajo.
Duke folur në Klan Kosova, zonja Ramadani ka shpjeguar edhe kontekstin e vidoes që ka qarkulluar javëve të fundit, ku heroi Ramadani i thotë bashkëshortes “fisnike, luftën do ta fitojmë”.
“Ka qenë hera e fundit që ka ardhur në Zvicër. Kishte ardhur për të marrë ushtarë dhe armatim. Ka qenë shumë i sëmurë, me temperaturë, pa gjumë për më shumë se 48 orë dhe ishte ftohur. Edhe zëri i tij në video duket ndryshe. Kur dëgjoi për zhvillimet që po ndodhnin në front, u gëzua shumë dhe më thirri duke më thënë, ‘Fisnike, liria po vjen, e fituam”, tha ajo.



