Edi Rama nga Londra: Kosova duhet ta harrojë Serbinë dhe t’ia lërë Evropës të merret me të

Kryeministri i Shqipërisë thotë se Prishtina duhet të fokusohet në plotësimin e marrëveshjeve dhe kriterëve të dialogut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për dialogun Kosovë–Serbi gjatë një tryeze të zhvilluar në Londër, ku theksoi se Kosova duhet të përqendrohet në përmbushjen e detyrimeve të saj dhe të mos lejojë që procesi të kthehet në problem për vetë atë.

Rama tha se Kosova është tashmë një shtet i ri demokratik, i njohur nga fuqitë e mëdha, dhe se nuk ekziston më çështje territoriale që ta pengojë në rrugëtimin e saj evropian.

“Nuk shoh çështje territoriale. Kosova është republikë, një shtet i ri demokratik, i njohur nga fuqitë e mëdha dhe ende jo i njohur nga pesë vende të BE-së. Në këtë drejtim, nuk shoh problem,” tha Rama.

Sipas tij, Kosova duhet të shtyjë përpara me përkushtim në zbatimin e marrëveshjeve dhe të forcojë pozicionin e saj brenda botës demokratike të Bashkimit Evropian.

“I takon Kosovës që të shtyjë përpara dhe të bindë pjesën tjetër për pozicionin e saj të konsoliduar, sa i takon vlerave demokratike të BE-së. Që të jetë e suksesshme, Kosova duhet të harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha pikat e dialogut,” theksoi kryeministri shqiptar.

Në përfundim të fjalës së tij, Rama tha se Kosova duhet ta lërë Evropën të merret me Serbinë dhe të fokusohet në zhvillimin e saj të brendshëm.

“T’ia lënë topin në fushë Serbisë, të lënë Evropën të merret me Serbinë dhe të mos e shndërrojnë çështjen në fajësim të tyre,” u shpreh Rama.

Back to top button