
Elmi Reçica, deputet i rizgjedhur i PDK-së, i ka reaguar Ilir Feratit të LDK-së, i cili e kritikoi Përparim Ramën, kryetar i Prishtinës, rreth një fotografie me Reçicën.
Përmes një statusi, Reçica ka vlerësuar se pretendimi i Feratit është i rremë.
Postimi i plotë:
Me keqardhje kam përcjellë deklaratat e pavërteta dhe shpifëse të bëra nga Ilir Ferati në emisionin Politiko në Kanal 10, ku ka pretenduar se kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, në ditën e zgjedhjeve ka publikuar fotografi me mua. Ky pretendim është tërësisht i rremë dhe nuk mbështetet në asnjë fakt.
Fillimisht dua të theksoj se unë dhe Partia Demokratike e Kosovës jemi të interesuar që LDK-ja të jetë një parti stabile dhe e qëndrueshme, sepse i duhet vendit dhe demokracisë sonë. Zhvillimet e brendshme në LDK janë çështje ekskluzive e tyre dhe nuk lejoj në asnjë mënyrë që emri im të përdoret për shpifje, manipulime apo sulme politike ndaj kujtdo brenda asaj partie.
E vërteta është shumë e thjeshtë. Me Perparim Ramën jam takuar më 28 maj, në ceremoninë përkujtimore e organizuar nën patronatin e Kryetarit të Kryeqytetit me rastin e ditëlindjes dhe rënies heroike të Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci.
Në atë ngjarje, të organizuar me përkushtim të veçantë, Perparim Rama mbajti një fjalim enciklopedik kushtuar veprës dhe sakrificës së heronjve tanë. Fotografia e publikuar i përket pikërisht atij organizimi dhe jo ditës së zgjedhjeve, siç është pretenduar në mënyrë të pavërtetë nga Ilir Ferati.
I bëj thirrje Ilir Feratit që ta demantojë këtë shpifje dhe këtë të pavërtetë, si dhe të mos e keqpërdorë emrin tim në betejat e tyre të brendshme politike.
Për transparencë të plotë, po bashkëngjis edhe videon origjinale të asaj dite, të publikuar nga portali Prishtina Sot, e cila dëshmon qartë të vërtetën dhe i hedh poshtë pretendimet e bëra nga Ilir Ferati



