
Në Gjykatën Speciale nuk e kanë bërë të ditur datën se kur do të jepet vendimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Por, në një publikim të saj është theksuar se çështja gjyqësore është në fazën e kuvendimeve
Ende nuk dihet se kur Gjykata Speciale me seli në Hagë do ta shpallë vendimin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët janë të akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.
“Rregullorja përcakton se Trupi Gjykues ka 90 ditë për të arritur një verdikt, por mund të shtyjë kuvendimet përtej 90 ditëve në rast se, për shkak të rrethanave, kërkohet më shumë kohë. Data e saktë e shpalljes së verdiktit në këtë çështje nuk dihet ende, por publiku do të njoftohet kur gjykatësit të caktojnë datën”, kanë thënë në Gjykatën Speciale, transmeton KOHA.



