
Kryetari i Nismës Socialdemokrate thotë se ende ka energji dhe dëshirë për të realizuar projekte të mëdha për vendin, ndërsa kërkon marrëveshje politike për emrin e ardhshëm të presidentit.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se nuk e sheh veten në pozitën e presidentit të Kosovës pas pesë muajsh, duke theksuar se dëshiron të vazhdojë kontributin e tij në terren përmes projekteve konkrete për zhvillimin e vendit.
Në një intervistë në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Limaj tha se Kosova ka ende shumë nevojë për projekte të mëdha dhe për angazhim aktiv në terren.
“Unë dua ende të jap punë për vendin tim, unë ende mund të jap punë nga terreni. Kosova ka nevojë shumë për projekte të mëdha. Nuk mendoj që ka ardhur koha të mbyllem në një zyrë,” u shpreh Limaj.
Ai shtoi se ka ende energji dhe dëshirë për të realizuar ëndrra dhe projekte që, sipas tij, mund të sjellin zhvillim të qëndrueshëm për Kosovën.
“Unë dua që të jem i angazhuar në terren dhe ende kam edhe energji, edhe dëshirë, dhe ende kam ëndrra se mund t’i realizoj disa projekte të mëdha për këtë vend,” tha ai.
Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, Limaj nënvizoi rëndësinë e një marrëveshjeje politike mes subjekteve kryesore.
“Duhet pasur marrëveshje politike. Më mirë është të bësh sot marrëveshje politike sesa pas gjashtë muajsh. Ajo që pres është që të jetë një njeri që i plotëson kushtet për të qenë president,” përfundoi Limaj.



