Haradinaj e krahason Mihalin me Danica Marinkoviçin: Akuzon pushtetin se urdhëroi dhunën ndaj protestuesve

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka krahasuar koordinatoren e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, me ish-gjyqtaren hetuese serbe Danica Marinkoviç, e cila kishte zhvilluar hetime në rastin e masakrës së Reçakut.

Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Debat Plus”, Haradinaj ka akuzuar Mihalin, kryeministrin Albin Kurti dhe ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për ndërhyrjen policore ndaj protestuesve të iniciativës “Jo në emrin tim”.

“Këtu ka faj Danica Marinkoviç, Albin Kurti e Xhelal Sveçla”, ka deklaruar Haradinaj, duke iu referuar Mihalit me emrin e ish-gjyqtares serbe.

Danica Marinkoviç ishte gjyqtare hetuese e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë dhe kishte kryer këqyrjen në Reçak në janar të vitit 1999. Ajo më vonë kishte dëshmuar si dëshmitare e mbrojtjes në Tribunalin e Hagës.

Haradinaj ka pretenduar se ndërhyrja e Policisë ndaj protestuesve ishte urdhëruar politikisht dhe ka vënë në pikëpyetje kohën kur ajo kishte ndodhur.

Sipas tij, pushteti kishte pritur deri një natë para skadimit të afatit për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, përpara se Policia të ndërhynte ndaj protestuesve.

Haradinaj ka kritikuar Qeverinë edhe për vonesën e miratimit të Ligjit, duke pretenduar se në kohën kur Hashim Thaçi kishte nevojë për mbështetje institucionale, nisma ishte kushtëzuar me votimin e presidentes.

Ai ka akuzuar Kurtin se ishte sjellë si “sundimtar”, ndërsa ka pretenduar se protestuesit ishin përballur me dhunë policore për shkak të urdhrave politikë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.