Haradinaj: Pa marrëveshje opozitare, vendi shkon në zgjedhje

Kreu i AAK-së thotë se pas dështimit të Albin Kurtit për formimin e qeverisë, rruga e vetme kushtetuese është shpallja e zgjedhjeve, nëse opozita nuk arrin marrëveshje për shumicë të re.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka komentuar zhvillimet politike pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re. Ai ka theksuar se tashmë roli i presidentes Vjosa Osmani është i qartë — nëse nuk ka shumicë të re parlamentare, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Sipas Haradinajt, ekziston një potencial teorik që opozita të krijojë shumicë, por kjo, sipas tij, kërkon një marrëveshje të qartë politike ndërmjet partive opozitare.

“Ne kemi 52 deputetë shqiptarë të opozitës, që bëjnë katër më shumë se VV. Që i bie që në rast të një kontrate në mes të opozitës, ekziston mundësia me i dhënë vendit qeveri,” ka deklaruar Haradinaj.

Megjithatë, ai ka theksuar se një marrëveshje e tillë ende nuk ekziston, dhe se në mungesë të saj, rruga e vetme mbetet shpallja e zgjedhjeve.

“Kuptohet duke mos pas një kontratë të tillë të obligimeve e qëllimeve mes opozitës, për faktin se mandati i parë dështoi, atëherë për presidenten situata është mese e qartë — meqë askush nuk ka shumicë të re prej 61 deputetësh, asaj i mbetet me i shpallë zgjedhjet,” ka shtuar ai.

Haradinaj gjithashtu ka komentuar raportimet se Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur nënshkrimet e deputetëve të saj, duke e cilësuar këtë si një lëvizje taktike për të siguruar që deputetët e VV-së të mos mbështesin ndonjë kandidat tjetër nga opozita.

Back to top button