
Profesori Enver Hasani thotë se Glauk Konjufca, Bekim Jashari dhe Blerim Shala kanë gjasa reale për postin e Presidentit, por thekson se logjika e pushtetit e favorizon një kandidat nga partia e Kurtit.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, vlerëson se kryeministrit Albin Kurti i konvenon politikisht që për postin e Presidentit të Kosovës ta propozojë një figurë nga radhët e partisë së tij, konkretisht Glauk Konjufcën.
I ftuar në emisionin “Konfront” në KTV, Hasani u pyet për emrat që po përmenden si kandidatë të mundshëm për president, përfshirë Glauk Konjufcën, Bekim Jasharin dhe Blerim Shalën. Ai tha se të tre kanë gjasa reale për t’u zgjedhur.
“Besoj që të tre këta emra kanë gjasa reale. Mendoj shumë më shumë se Vjosa Osmani, secili prej tyre. Pra, po flas për vota”, deklaroi Hasani.
Sipas tij, logjika politike dhe ajo e pushtetit e bëjnë më të arsyeshme që Kurti të mos ia japë mandatin një figure jashtë partisë së tij.
“Pak ka logjikë pse duhet Kurti me ia dhënë mandatin dikujt që nuk është i partisë së tij, në këtë rast zotit Konjufca. Pse me ua dhënë të tjerëve, kjo s’ka lidhje me sakrificë”, theksoi ai.
Hasani shtoi se, për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve të reja, opozita mund ta mbështeste kandidaturën e Konjufcës.
“Besoj që për t’i ikë zgjedhjeve, opozita do ta votonte Glaukun. Bekim Jasharin e kishin votu këta të luftës që të gjithë, e po ashtu edhe zotin Shala besoj që e kishin votu njëjtë”, u shpreh Hasani.



