
Burim Krasniqi, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Rahovecit, ka kërkuar në mënyrë indirekte nga elektorati i LDK-së që të votojnë për kandidatin e Vetëvendosjes, Ali Dula, në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Rahovecit, Burim Krasniqi, ka bërë një deklaratë që shihet si thirrje indirekte për përkrahje ndaj kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Ali Dula, në balotazhin e ardhshëm kundër kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Smajl Latifi.
Në një postim publik, Krasniqi ka theksuar se mesazhi i tij gjatë gjithë fushatës ka qenë i qartë: “Rahovecit i duhet ndryshimi”. Ky mesazh po interpretohet si një sinjal se ai dhe mbështetësit e LDK-së mund t’i japin përkrahje kandidatit të Vetëvendosjes në garën përfundimtare për kryetar komune.
“Ju faleminderit të gjithëve me mesazhin e thënë nga fillimi: RAHOVECIT I DUHET NDRYSHIMI”, ka shkruar Krasniqi ndër të tjera.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se LDK ka arritur të sigurojë 5,124 vota për kryetar komune dhe 4,743 vota për kuvend komunal në Rahovec, duke siguruar kështu shtatë ulëse në asamblenë komunale nga gjithsej 27 sa do të jenë në përbërje.
Balotazhi në Rahovec do të zhvillohet ndërmjet Smajl Latifit të AAK-së, kryetar aktual i komunës, dhe Ali Dulës nga Lëvizja Vetëvendosje, në një garë që pritet të jetë vendimtare për drejtimin e ardhshëm të komunës.



