
Një burrë është arrestuar dhe është akuzuar për sulm pasi spërkati me një lëng me erë të fortë një demokrate nga Minesota, duke përdorur një shiringë, shkruan The Guardian.
Kongresistja demokrate Ilhan Omar u spërkat me një substancë të paidentifikuar nga një burrë me një shiringë të martën, teksa ajo po mbante takimin e saj të parë publik më 2026 në Minneapolis, gjatë të cilit bëri thirrje që ICE të shfuqizohet “përfundimisht” dhe që sekretarja e DHS-së, Kristi Noem, të japë dorëheqjen.
Omar kishte folur vetëm për disa minuta kur një burrë nga audienca u ngrit dhe filloi të bërtiste, ndërsa e spërkati atë me lëngun. Njerëz që ishin në takim thanë se lëngu kishte një erë acidike.
Omar u drejtua nga burri pas sulmit të dyshuar, por ai u rrëzua menjëherë përtokë nga një roje sigurie. Njerëzit brenda qendrës komunitare të veriut të Minneapolis-it u tronditën teksa skena po zhvillohej.
Disa, si anëtarja e këshillit të Minneapolis-it LaTrisha Vetaw, i kërkuan Omarit ta përfundonte herët takimin publik për t’u kontrolluar, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e saj nga lëngu i paidentifikuar. Omar refuzoi të ndalonte. “Dhjetë minuta, ju lutem … mos ua jepni shfaqjen,” u tha ajo ekipit të sigurisë.
Pasi sulmuesi i dyshuar u neutralizua, pati duartrokitje në sallë ndërsa ai u shoqërua jashtë.
“Ja realiteti që njerëz si ky burrë i shëmtuar nuk e kuptojnë, është se ne jemi Minnesota e fortë,” tha kongresistja.



