
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se retorika zyrtare e Serbisë ndaj Kosovës mbetet agresore dhe e pandryshueshme, teksa e ka cilësuar këtë vend si burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen në rajon, shkruan KOHA.
Në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, aktivitet i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Konjufca ka përmendur edhe bashkëpunimin ushtarak të Beogradit me Kinën dhe qëndrimet e tij ndaj zhvillimeve ndërkombëtare.

Ai iu referua edhe deklaratës së ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila, sipas tij, ka deklaruar se nëse do të ishte në vendin e Slobodan Millosheviqit, do ta spastronte sërish etnikisht Kosovën.
Konjufca tha se një deklaratë e tillë duhet të merret seriozisht jo vetëm nga Kosova, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë që kanë investuar në sigurinë e rajonit.
“Ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me vende si Kina, dhe është i vetmi vend i cili në rajon mori pjesë në ceremoninë mortore të ish-udhëheqësit iranian Khamenei. Ky orientim i Serbisë është më shumë sesa një pozicion i dyzuar në arenën ndërkombëtare. Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane. Deklarata e ministres serbe se po të ishte në vend të Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën sërish është deklaratë që duhet ta marrim seriozisht jo vetëm ne, por edhe aleatët ndërkombëtar që kanë investuar dhe investojnë në sigurinë e rajonit tonë. Qëndrimet tolerante të Bashkimit Evropian ndaj pozicioneve të tilla të Serbisë e kanë inkurajuar vetë Serbinë të mos heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste”, ka thënë Konjufca.



