Kosova e Shqipëria armatosen të parat nga ShBA-ja për misionin në Gazë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lajmëruar ndarjen e 206 milionë dollarëve për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e cila është paraparë të vendoset në Gaza, ndërsa Kosova dhe Shqipëria do të jenë të parat që do të marrin pajisje ushtarake amerikane në kuadër të këtij misioni, transmeton KOHA.

Reuters ka raportuar sipas dy lajmërimeve që ka parë të Departamentit të Shtetit ku njoftohej për milionat që do të shkojnë për pajisje, infrastrukturë, automjete dhe shpenzime operative të forcës. 

banner

Në një prej njoftimeve përmenden edhe dy shtetet ballkanike. Njëra prej tyre flet për ndarjen e 6.3 milionë dollarëve të tjerë që do të përdoren për ridestinimin e nëntë transportuesve të blinduar amerikanë, të destinuar fillimisht për Nepalin. Sipas Reutersit, Shqipëria dhe Kosova do të jenë përfitueset e para të këtyre automjeteve, në kuadër të rolit të tyre në ISF.

Pesë vende janë zotuar deri tani të dërgojnë trupa në ISF: Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria, ndërsa Egjipti dhe Jordania janë zotuar të trajnojnë forca policore. Megjithatë, ende nuk dihet se kur do të mund të dislokoheshin trupat.

Presidenti amerikan Donald Trump ka krijuar një Bord të Paqes për të mbikëqyrur planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të rindërtuar territorin e shkatërruar. Plani parashikon që forca paqeruajtëse të dislokohet në Gaza për të garantuar sigurinë në zonat nga të cilat do të tërhiqen trupat izraelite, si dhe të trajnojë forca të reja policore palestineze dhe të mbështesë shpërndarjen e ndihmave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.