
Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka njoftuar se më 12 shtator në Prishtinë do të organizojë “Marshin për Liri”, nën moton “KOSOVA PO PRET”.
Marshi do të mbahet katër ditë para 16 shtatorit, datë kur, sipas organizatorëve, pritet përmbyllja e procesit pranë Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, në një konferencë për media kanë prezantuar aktivitetet që do t’i paraprijnë dhe pasojnë marshin.
Hoxha ka thënë se platforma prej gjashtë vjetësh ka kërkuar, bashkë me qytetarët, një gjykim të drejtë.
“Dhe për 6 vite e kemi parë të gjitha aktakuzat e Prokurorisë kanë qenë të paqëndrueshme dhe janë rrëzuar një nga një. Por, 16 shtatori duhet të jetë përfundimi i kësaj sage të errët. Dhe ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre. Jo duke paragjykuar vendimin e drejtësisë dhe jo duke ndërhyrë në procesin gjyqësor, por duke e bërë të dëgjueshëm zërin qytetar për drejtësi, dinjitet, kujtesë dhe respekt ndaj historisë sonë”, tha ajo.
Hoxha njoftoi se nga nesër do të nisë numërimi mbrapsht deri më 16 shtator, si dhe aktiviteti “Netët e Lirisë”.
“Aktiviteti i parë fillon nesër, në ora 10:00 në Prishtinë. Do të vendosim një countdown – numërim mbrapsht, i cili do të numërojë kohën deri më 16 shtator, në ora 10:00, kur pritet seanca e fundit e përmbylljes së procesit në Hagë. I njëjti aktivitet do të jetë i shtrirë në të gjitha komunat e Kosovës. Çdo orë që kalon do të na kujtojë se Kosova po pret. Pret drejtësi. Pret dinjitet. Pret çlirimtarët të kthehen në shtëpinë e vet. Aktiviteti ynë i dytë, NETËT E LIRISË do të zhvillohet në shtatë zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Netët e Lirisë do të jenë net të kujtesës, të rrëfimit dhe të bashkimit mes brezave për rrugën e vështirë dhe sakrificat për liri”, shtoi ajo.
Ndërkaq, Ismail Tasholli u ka bërë ftesë liderëve të katër partive më të mëdha, Albin Kurtit, Bedri Hamzës, Lumir Abdixhikut dhe Ardian Gjinit, që t’i bashkohen marshit.
“I ftojmë të gjitha partitë politike shqiptare dhe liderët e 4 partive më të mëdha më vend, z. Kurti, z. Hamza, z. Abdixhiku, z. Gjini që të bëhen pjesë e Marshit për Liri. Kjo ftesë u drejtohet të gjithëve, pa përjashtim. I ftojmë këta të jenë të pranishëm dhe të kenë adresimin e tyre publik në Marshin për Liri. Jo për të bërë fushatë. Jo për të ngritur flamuj partiakë. Por për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”, tha Tasholli.
Ai njoftoi se më 16 shtator platforma do të organizojë një aktivitet edhe në Hagë, së bashku me diasporën shqiptare.
“Më 16 shtator, kur vëmendja do të jetë e përqendruar në Hagë, “Liria ka Emër” do të organizojë aktivitet edhe në Hagë, së bashku me diasporën shqiptare. Nga Kosova deri në Hagë, mesazhi ynë do të jetë i njëjtë: KOSOVA PO PRET. Prandaj, nga nesër në sheshin e Prishtinës fillon numërimi mbrapsht. Nga 16 shtatori, Kosova më nuk do të jetë njësoj”, theksoi Tasholli.



