
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po planifikon që shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të bëhet në fillim të muajit shkurt të këtij viti.
Por, sipas KQZ-së, shpallja e këtyre rezultateve mund të vijë pas përfundimit të procesit të rinumërimit të më shumë se 1 mijë e 800 vendvotimeve të mbetura, i cili po planifikohet të përmbyllet deri në fund të muajit janar.
“Aktualisht, numri i ekipeve të angazhuara në procesin e rinumërimit gjatë një dite pune është 76. Bazuar në këtë kapacitet dhe numri i vendvotimeve të mbetura për t’u rinumëruar, planifikojmë dhe po bëjmë përpjekje që i gjithë procesi të përmbyllet deri në fund të muajit janar”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi ka thënë se KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar pas përfundimit të rinumërimit, që sipas tij, mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, pasi rinumërimi mund të heqë të gjitha dilemat sa i përket rezultateve.
“Pas përfundimit të procesit të rinumërimit, KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre lidhur me këtë rezultat në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë edhe nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen e këtyre ankesave dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka shtuar Elezi.



