
Kryeministri në detyrë pranon vështirësitë në formimin e qeverisë dhe thotë se atmosfera politike është “e intoksikuar”
Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pranuar se edhe vetë dyshon në mundësinë e formimit të qeverisë së re deri të dielën, kur edhe skadon afati i fundit ligjor.
Nga Londra, ku po qëndron për vizitë, Kurti tha se procesi i krijimit të qeverisë “nuk është i lehtë” dhe se, në rast të dështimit, alternativa e vetme mbeten zgjedhjet e reja.
“Do të përpiqemi maksimalisht që deri të dielën – më së largu. Të hënën nuk mundemi me u përgatit, sepse ose e kemi bërë qeverinë, ose nuk e kemi bërë,” tha Kurti.
Ai shtoi se klima politike në vend është e rënduar, duke e përshkruar si “të intoksikuar”, me “shumë xhelozi, inate dhe cinizëm” dhe pak ide e pasion për punë.
“Është intoksuar atmosfera shumë. Ka shumë xhelozi, inati e cinizëm, shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë,” tha ai.
Sipas tij, as partitë ish-opozitare nuk po tregojnë gatishmëri për formim qeverie.
“Siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre,” përfundoi Kurti.



