Kurti për institucionet shëndetësore e arsimore serbe në Kosovë: Do të punojmë për t’i bashkuar në një sistem të vetëm

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar mesazh serbëve të Kosovës duke thënë se ata meritojnë “qasje të barabartë në të mirat e përbashkëta” dhe se sistemi paralel i arsimit dhe shëndetësisë nuk është i qëndrueshëm.

“Është e nevojshme përfshirja dhe bashkimi i tyre. Nuk dua ta bëj këtë kundër jush apo pa ju. Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, së bashku me të gjithë ju, përfshirë edhe kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në një dhe të vetmin sistem”, tha Kurti në një videomesazh dërguar mediave.

banner

Kurti gjithashtu tha se në kuadër të këtij procesi do t’i “bashkojmë përvojat dhe forcat me partnerët tanë ndërkombëtarë: Bashkimin Evropian dhe të dërguarin e tij të posaçëm për dialog, vendet e QUINT-it dhe KFOR-in”.

Shteti ynë garanton me Kushtetutë të drejtat dhe liritë për të gjithë ju dhe dëshiron bashkëpunim sa më të mirë për realizimin e tyre”, tha ai.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, reagoi ndaj deklaratave të Kurtit, duke theksuar se “kërcënimet për njëfarë integrimi të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin kosovar nuk janë pjesë e asnjë negociate apo marrëveshjeje”.

Siç thuhet në komunikatë, shëndetësia dhe arsimi janë “shtyllat e mbijetesës së popullit serb dhe ashtu do të mbeten”.

“Të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare flasin qartë se këto janë sisteme të ndara dhe kjo është ajo për të cilën do të luftojë Lista Serbe me mbështetjen e popullit serb. Megjithatë, kjo është një kërcënim i qartë ndaj të cilit presim një reagim edhe më të fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Të gjitha institucionet shëndetësore në mjediset serbe në Kosovë funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Përveç institucioneve arsimore, popullata lokale serbe dhe Beogradi zyrtar shpesh i përshkruajnë ato si jetike për mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë.

Autoritetet e Kosovës javën e kaluar e pezulluan punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor në Mitrovicën e Veriut, me arsyetimin se ky institucion nuk kishte dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë.

Njëkohësisht u pezullua edhe puna e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.