
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës tashmë është i konstituuar, duke thënë se zhvillimet e sotme dëshmuan se procesi mund të përfundonte shpejt nëse ekzistonte vullneti politik.
“Për 20 minuta u konstitua Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë Lushaku-Sadriu në një konferencë për media.
Sipas saj, kjo dëshmon se ngërçi i deritashëm lidhej me mungesën e vullnetit politik.
“Është vetëm dëshmi se kur ekziston vullneti politik institucionet bëhen shumë lehtë. Është shumë e vështirë kur një grup parlamentar si Vetëvendosje, me shumë deputetë, nuk ka vullnet politik. Por, sot ishte gjendje tjetër dhe u mundësua kuorumi dhe zgjedhja e nënkryetarëve”, tha ajo.
Lushaku-Sadriu ka theksuar se LDK-ja ua njeh partive politike të drejtën për t’i bërë propozimet e tyre për pozitat që u takojnë.
Megjithëse e konsideron Kuvendin të konstituuar, ajo tha se LDK-ja do të mbështesë iniciativat ligjore që synojnë sqarimin e dilemave rreth afateve kushtetuese për konstituimin e tij.
Sipas saj, LDK-ja ka mbledhur argumente që do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese.
“Do të kontribuojmë në sqarimin e ligjshmërisë e kushtetutshmërisë në të gjitha rrethanat”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.
Edhe PDK-ja ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e afateve për konstituimin e Kuvendit.



