
Kandidati i koalicionit VLEN tha se në Çair u “pensionua” një klasë e vjetër politike dhe uroi me ironi Ali Ahmetin për fitoren në Pllasnicë.
Izet Mexhiti ka shpallur fitoren në komunën e Çairit, duke i uruar me ironi fitoren AKI-së në Pllasnicë. Ai theksoi se në Çair, shqiptarët “çuan në pension” një klasë të vjetër politike. Mexhiti shtoi se VLEN ka arritur fitore që në raundin e parë edhe në Tetovë, transmeton Portalb.mk.
“Shfrytëzoj rastin t’i uroj fitoren z. Ahmeti në komunën e Pllasnicës. Në Çair fituan të gjithë shqiptarët. Sot, me zemrën plot krenari, mund të them se fituan shqiptarët — sonte një klasë politike u pensionua.
Fitorja e Çairit është fitore e dinjitetit dhe e shpresës. Qytetarët na shpërblyen me votë dhe besim, ndërsa kundërshtarët tanë nuk kishin asgjë për të thënë. Ata bënë fushatë të zbrazët, të dëshpëruar. As gjuha e urrejtjes, as nacionalizmi nuk i shpëtuan, sepse shqiptarët nuk mashtrohen më.
Prandaj sonte i drejtohem kundërshtarit tim politik, Ali Ahmetit, me plot respekt, por edhe me qartësi: Ky është çasti kur duhet të tërhiqesh — vota e shqiptarëve të dërgoi në pension,” tha Mexhiti, raporton Portalb.mk.



