
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq, ka akuzuar Beogradin se po përdor aparatin shtetëror për të shantazhuar dhe frikësuar serbët në Kosovë, ndërsa ka kërkuar më shumë mbështetje ndërkombëtare për pluralizëm politik brenda komunitetit serb.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (PLDM), Nenad Rashiq, ka folur për zgjedhjet lokale, ndikimin e Serbisë përmes Listës Serbe dhe situatën aktuale politike në vend. Ai ka paralajmëruar se Serbia po përdor çdo mekanizëm shtetëror për të ushtruar presion ndaj serbëve të Kosovës dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të mbështesë më shumë pluralizmin politik në veri.
Rashiq tha për Telegrafin se partia e tij ka marrë pjesë në gjashtë komuna në zgjedhjet lokale dhe, pavarësisht presioneve, ka arritur të sigurojë përfaqësim në asambletë komunale.
“Kemi pasur kandidatë për kryetarë në gjashtë komuna dhe do të jemi të pranishëm në të gjitha. Kjo është hera e parë që dalim në këtë formë në Veri”, u shpreh Rashiq.
Ai tha se fushata ka qenë e vështirë për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që, sipas tij, vijnë nga strukturat e lidhura me Beogradin.
“Serbët e Kosovës janë të lidhur me Beogradin nga shumë aspekte – kulturor, fetar, shëndetësor. Por Vuçiq, si diktator, i keqpërdor këto lidhje. Ai përdor aparatin shtetëror, aparatin e zi, përmes financave, shantazheve dhe dhunës fizike ndaj njerëzve që nuk i binden”, tha Rashiq.
Sipas tij, shumë qytetarë serbë në Kosovë përballen me frikë, kërcënime dhe ndalesa në kufi nëse nuk janë pjesë e Listës Serbe. Ai tregoi se edhe familja e tij është përballur me raste të tilla.
“Djali im, që studion në Serbi, çdo herë mbahet katër orë në kufi. Edhe gruaja ime është ndalur. Kjo është një luftë psikologjike që po vazhdon prej vitesh”, theksoi ai.
Rashiq kritikoi mungesën e reagimit të institucioneve ndërkombëtare ndaj këtyre rasteve, duke thënë se shpesh ndihma dhe mbështetja fokusohen vetëm te Lista Serbe.
“Fatkeqësisht, edhe bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrah shumë diversifikimin e partive serbe në Kosovë. Ata takohen me shumicën dhe shpesh i anashkalojnë problemet që i kemi ne”, deklaroi ai.
Në lidhje me postin e tij si nënkryetar i Kuvendit, Rashiq tha se nuk pret që Gjykata Kushtetuese të shpallë zgjedhjen e tij të parregullt.
“Jam 95 për qind i sigurt që nuk do të ketë ndonjë masë administrative ndaj zgjedhjes sime. Nuk ka shkelje të Kushtetutës”, u shpreh ai.
Sa i përket mundësisë së formimit të qeverisë së re, Rashiq u shpreh skeptik dhe parashikoi se zgjedhjet e reja janë alternativa më reale.
“Nuk jam optimist që do të bëhet qeveria. Partitë e mëdha e kanë më lehtë të shkojnë në zgjedhje, ndërsa ne, si parti të vogla, e kemi shumë më vështirë. Megjithatë, në këtë situatë, zgjedhjet duken si opsioni më real”, tha Rashiq, duke shtuar se ato mund të mbahen “ose në mesin e dhjetorit, ose në fillim të shkurtit”.
“Njerëzit janë të lodhur, por duket se vetëm zgjedhjet mund të sjellin një zgjidhje”, përfundoi ai.



