
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 34-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar atë si një akt të jashtëzakonshëm guximi politik dhe besimi të palëkundur në liri dhe pavarësi.
Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës i dhanë jetë Kushtetutës së Kaçanikut, aktit më të lartë të guximit politik dhe besimit në lirinë dhe pavarësinë tonë. Kjo Kushtetutë ishte shkëndija që mbajti gjallë shpresën dhe qëndresën, si dhe themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës”, ka deklaruar Osmani.
Ajo theksoi se ky akt sublim nuk ishte thjesht një dokument juridik, por një betim se Kosova do të bëhej e lirë dhe e pavarur, krahas kombeve të tjera demokratike.
“Sot përulemi me nderim para atyre që guxuan atëherë kur duhej të rrezikonin gjithçka dhe me krenari vazhdojmë rrugën që ata trasuan”, shtoi Presidentja.



