
Partia Demokratike e Kosovës është zotuar për “mbrojtje të rendit kushtetues me çdo mjet”. Në një reagim për ngërçin aktual politik, PDK-ja ka vlerësuar se ajo që po ndodh është goditje direkte ndaj rendit kushtetues.
Në Facebook, faqja e PDK-së ka shkruar tri pika “sqaruese” për qytetarët. Partia më e madhe opozitare ka vlerësuar se me moskonstituim po shkelen Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit si dhe nuk po respektohet aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“1. Kushtetuta përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. 2. Gjykata Kushtetuese e ka bërë edhe më të qartë: 30 ditët nuk janë vetëm afat për ta nisur procesin. Brenda këtij afati Kuvendi duhet të konstituohet. 3. Rregullorja e Kuvendit përcakton se, derisa të përfundojë seanca konstituive me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërprerjet nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë. Afati 30-ditor ka kaluar pa u konstituuar Kuvendi. Tash po shpërfillet edhe rregulli 48-orësh. Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për pushtetin. Ajo që po ndodh është suspendim dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Republikës. PDK do ta mbrojë rendin kushtetues me çdo mjet!”, thuhet në reagim.
Kjo parti nuk ka treguar veprimet që do t’i ndërmarrë, por deputetë të saj kanë paralajmëruar dërgim të rastit në Gjykatë Kushtetuese apo edhe protesta. E një ditë më parë, kryetari i saj, Bedri Hamza, ka thënë se PDK-ja do të ndërmarrë “një sërë veprimesh ligjore, politike dhe demokratike, me qëllim kundërshtimin e degradimit të mëtejshëm të institucioneve dhe mbrojtjen e rendit kushtetues”./KOHA



