
Drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, konfirmon se i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve është plagosur gjatë përleshjes me viktimat.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e dyfishtë që ndodhi të enjten në fshatin Golluboc të Komunës së Malishevës, ku dy vëllezër humbën jetën pas të shtënave me armë zjarri.
Sipas drejtorit të Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, të dyja palët e përfshira në rast kanë përdorur armë zjarri, ndërsa i dyshuari A.I., i cili është dhëndri i viktimave, është plagosur gjatë përleshjes.
“Dyshohet që është plagosur gjatë përleshjes me viktimat. Të dyja palët kanë përdorur armët, dhe besohet se është plagosur nga njëri prej viktimave,” ka deklaruar Graishta.
Policia njoftoi se i dyshuari është arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në fshatin Pllaqicë. Ai është gjetur i plagosur dhe aktualisht po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku gjendja e tij është stabile.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë shtëpisë së viktimave, ndërsa sipas të afërmve, konflikti ka shpërthyer pasi i dyshuari kishte shkuar për të marrë bashkëshorten e tij – motrën e dy viktimave.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar se hetimet po vazhdojnë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe se ndaj të dyshuarit pritet të kërkohet masa e paraburgimit.



