Rama synon ta fitojë Prishtinën duke bërë foto me Ali Ahmetin dhe Taulant Ballën

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë në protestën në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ku është parë në shoqërinë e liderit opozitar shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS-së së Shqipërisë, Taulant Balla.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama, i cili do të përballet në balotazh me Hajrulla Çekun nga Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë pjesë në protestën në Tiranë kundër Gjykatës Speciale, ku kërkohej drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Rama ka ndihmuar në organizimin dhe ka marrë pjesë në këtë tubim, ku kanë marrë pjesë edhe figura politike nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, ka ndarë pamje nga protesta në “Sheshin Skënderbej”, duke e cilësuar atë si një manifestim madhështor në mbështetje të komandantëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

“Mirëmëngjes 😊 dhe me këto pamje nga protesta mbarëkombëtare në ‘Sheshin Skënderbej’ në mbështetje të Komandantëve të UÇK-së, ju uroj një ditë të mbarë 🙏”, – ka shkruar Balla në një postim në rrjete sociale.

Ndërkohë, Përparim Rama ka publikuar një foto të përbashkët me Ali Ahmetin, kryetarin e partisë më të madhe opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku ka shkruar:

“Aty ku na rreh zemra fort 🇦🇱 Bashkë, gjithmonë bashkë 🤝”.

Ky angazhim dhe afërsia me figurat politike shqiptare nga rajoni po interpretohen si pjesë e strategjisë së Ramës për të forcuar pozicionin e tij politik në prag të balotazhit për Prishtinën — ani pse tradicionalisht, BDI e Ali Ahmetit dhe PS e Edi Ramës nuk kanë pasur marrëdhënie të ngushta me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ka një shtrirje të gjërë elektorale në kryeqytet.

Back to top button