
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është shprehur e shqetësuar për mungesën e librave për disa klasë.
Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, SBAShK-u ka bërë të ditur për cilat klasa bëhet fjalë.
Në komunikatën për media është theksuar se ky problem po përsëritet vazhdimisht.
“Kryetarët e niveleve komunale raportuan se situata është më e theksuar te klasat VI–IX, ku ka mungesë të librave për shkak të dallimeve në numrin e nxënësve krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa tekstet e dorëzuara janë shpesh të dëmtuara dhe pothuajse të papërdorshme”, është thënë në komunikatën për media.
Përveç kësaj, sindikata ka ngritur shqetësime edhe për mosformimin e institucioneve.
“Këshilli Drejtues vlerësoi se vonesat e gjata po dëmtojnë procesin arsimor dhe zgjidhjen e kërkesave të punëtorëve të arsimit. U ra dakord që sapo të formohet Qeveria, SBAShK-u të nisë dialogun për adresimin e kërkesave të kahershme të anëtarësisë”, është thënë në komunikatë.



