Siria u jep menjëherë shtetësinë kurdëve pas përparimeve kundër SDF-së

Urdhri i Ministrit të Brendshëm Anas Khattab përfshin të gjithë ata që janë të regjistruar si pa shtetësi dhe përcakton datën 5 shkurt si afat për zbatimin e tij.

Ministria e Brendshme e Sirisë ka urdhëruar zbatimin e menjëhershëm të një dekreti të ri që u jep shtetësinë pakicës kurde, ndërsa forcat qeveritare vazhdojnë të konsolidojnë kontrollin mbi vendin pas një ofensive të shpejtë kundër Forcave Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, në veri të vendit, shkruan Al Jazeera.

banner

Ministri i Brendshëm Anas Khattab e nxori vendimin të mërkurën, duke urdhëruar që dekreti të zbatohet për të gjithë kurdët që banojnë në Siri dhe duke përfshirë shprehimisht edhe ata që janë të regjistruar si pa shtetësi, raportoi agjencia e lajmeve Anadolu, duke cituar televizionin shtetëror sirian Alikhbariah.

Sipas raportimit, ministria ka vendosur datën 5 shkurt si afatin për përfundimin e masave dhe zbatimin e tyre.

Dy javë më parë, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa kishte shpallur njohjen e gjuhës kurde si një nga gjuhët kombëtare të vendit dhe rikthimin e shtetësisë për të gjithë kurdët sirianë, ndërsa njoftoi një armëpushim mes forcave siriane dhe atyre kurde.

Përparimi i shpejtë i forcave siriane e detyroi SDF-në të tërhiqej nga më shumë qytete, përfshirë Raqqan dhe Deir ez-Zorin, duke i mundësuar qeverisë në Damask të bashkojë vendin pas një lufte civile shkatërrimtare që ka zgjatur gati 14 vjet.

Zhvillimi është përshëndetur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili i tha al-Sharaas se ishte “shumë i kënaqur” me ofensivën e ushtrisë siriane, pavarësisht mbështetjes së mëparshme amerikane për SDF-në.

Megjithatë, ka pasur raportime për civilë kurdë që po përballen me mungesë ushqimi dhe zhvendosje, ndërsa përplasjet mes forcave siriane dhe SDF-së vazhdojnë në rajonin verior të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.