
Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, ka vlerësuar se Kosovës i nevojiten institucione stabile.
Sipas Rudolph-it, kjo do të ndihmonte për të avancuar agjendën evropiane të Kosovës, duke thelluar bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare.
Tutje, në intervistën në RTK, Rudolph ka vlerësuar se nuk e di se si do të vendosë Gjykata Kushtetuese në lidhje me lëndën rreth dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
“Nuk kam asnjë ide se si do të vendosë Gjykata Kushtetuese dhe thjesht nuk më përket mua. Ajo që është me rëndësi për ne është që të kemi institucione stabile me të cilat do të punojmë, dhe siç e thatë edhe ju, keni pasur dy palë zgjedhje nacionale vitin e kaluar, plus pastaj zgjedhjet lokale. Tani, nga perspektiva ime, duam të punojmë me vendin, kemi një agjendë në të cilën punojmë – agjendë ekonomike, politike e të sigurisë – dhe për këtë thjesht na duhen palët e kundërta me mandat me të cilët do të punojmë. Sigurisht që jam në kontakt me të gjitha palët politike, të qeverisë e të opozitës, por nuk e konsideroj punë time të them dikujt që është i zgjedhur demokratikisht. Përpiqem ta theksoj se është në interesin tonë që të kemi institucione dhe stabilitet institucional, thjesht që të vazhdojmë punën në agjendën tonë të përbashkët”, deklaroi ambasadori.



