Surroi pas konferencës së Osmanit: Shumica pengoi kompletimin e Kryesisë, jo komuniteti serb

Publicisti Veton Surroi ka reaguar pas konferencës së presidentes Vjosa Osmani lidhur me krizën e fundit në Kuvendin e Kosovës, e shkaktuar nga moszgjedhja e nënkryetarit që i takon komunitetit serb.

Surroi theksoi se komuniteti serb ka të drejtë kushtetuese të ketë përfaqësim në Kryesinë e Kuvendit me postin e nënkryetarit, duke nënvizuar se kjo është një e drejtë që iu përket dhe jo diçka që iu jepet.

banner

Ai sqaroi se komuniteti serb ka bërë disa propozime për këtë post, por asnjë nga kandidatët e propozuar nuk është zgjedhur nga shumica e deputetëve. Sipas tij, kjo nuk nënkupton as bllokadë dhe as veto nga ana e serbëve për të penguar konstituimin e Kuvendit.

“Komuniteti serb nuk ka bllokuar, nuk ka vënë veto e as ka penguar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Me propozimet e veta i ka dhënë mundësi shumicës që ta bëjë zgjedhjen e tërësisë së Kryesisë së Kuvendit”, ka shkruar Surroi.

Ai shtoi se refuzimi i shumicës për të zgjedhur kandidatët e propozuar ka penguar jo vetëm plotësimin e Kryesisë së Kuvendit, por edhe përmbushjen e një të drejte kushtetuese të komunitetit serb.

“Shumica nuk e ka zgjedhur asnjë kandidat të propozuar nga dy subjektet politike që përfaqësojnë komunitetin serb. Kështu ka penguar kompletimin e Kryesisë së Kuvendit dhe njëkohësisht përmbushjen e një të drejte kushtetuese të komunitetit serb. Kjo e drejtë kushtetuese e komunitetit serb duhet të përmbushet”, ka shkruar ai.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.