
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ka urdhëruar reduktimin e ndjeshëm të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Korenë e Jugut.
Në një postim në Truth Social, Trump e ka arsyetuar vendimin me marrëdhëniet e tij me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke thënë se Pheniani nuk ka qenë kërcënues gjatë presidencës së tij.

“Bazuar në marrëdhënien time shumë të mirë me Kim Jong Unin e Koresë së Veriut, nuk jam i kënaqur me faktin që Shtetet e Bashkuara, shumë kohë më parë, kanë rënë dakord të marrin pjesë në stërvitje të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut. Këto stërvitje jo vetëm që janë të kushtueshme, ku një pjesë e madhe e këtyre shpenzimeve paguhen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (si zakonisht!), por i dërgojnë një sinjal krejtësisht të papërshtatshëm dhe armiqësor një vendi që, për aq kohë sa Donald J. Trump ka qenë President, nuk ka qenë kërcënues dhe ka treguar respekt”, ka shkruar Trump.
Ai ka thënë se është tepër vonë për t’i anuluar plotësisht stërvitjet, por se i ka dhënë urdhër sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, që t’i reduktojë ndjeshëm ato.
“Prandaj, dhe bazuar në faktin se është tepër vonë për t’i anuluar, e kam udhëzuar Sekretarin e Luftës, Pete Hegseth, që t’i reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake!”, ka deklaruar Trump.
Presidenti amerikan ka bërë gjithashtu një deklaratë për Korenë e Jugut dhe Iranin. Ai ka thënë se së fundmi e kishte pyetur presidentin e Koresë së Jugut nëse vendi i tij dëshironte t’i bashkohej SHBA-së në përpjekjet për denuklearizimin e Iranit.
“Edhe pse disi e palidhur (?), së fundmi e pyeta Presidentin e Koresë së Jugut nëse do të dëshironin të na bashkoheshin në denuklearizimin e Republikës Islamike të Iranit dhe ata thanë: ‘Jo, faleminderit!’”, ka shkruar Trump.
“Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje. Presidenti DONALD J. TRUMP”, përfundon postimi.



