
Analisti politik Visar Ymeri vë në dyshim qëndrimet e kryeministrit Kurti, duke i quajtur kontradiktore dhe të rrezikshme për sigurinë e Kosovës.
Analisti Visar Ymeri ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të fundit të kryeministrit Albin Kurti, duke i cilësuar ato si të pakuptimta dhe të dëmshme për Kosovën. Ai shtron pyetjen se si është e mundur që kryeministri të mos e konsiderojë problem lidhjen e ngushtë të Serbisë me Rusinë, ndërkohë që një gjendje e tillë përbën rrezik për sigurinë dhe stabilitetin e mbarë rajonit.
“Sipas Kurtit, nuk qenka problem yni edhe largimi i Serbisë nga Rusia. A nuk është ndikimi rus në Evropë dhe rajon rrezikim i përgjithshëm i sigurisë, demokracisë e progresit? Një Serbi e lidhur ngushtë me Rusinë është një Serbi e fuqizuar ushtarakisht, autoritare brenda dhe e rrezikshme për secilin në rajon,” shkruan Ymeri, duke përmendur tensionet që Serbia shkakton në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.
Ai e kritikon Kurtin edhe për deklarimin se ShBA kundërshtojnë vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, gjë që sipas tij nënkupton se kryeministri po e interpreton qëndrimin amerikan si mbështetje të krimit. “Problemi i dytë është ky: Kurti po thotë që ShBA e përkrahin krimin në veri meqë e sanksionojnë Kosovën kur e lufton atë,” thekson Ymeri.
Në përfundim, Ymeri e quan kontradiktore logjikën e kryeministrit: “Sëkëndejmi nuk qenka problem ndikimi rus në Serbi, por ndikimi amerikan në Kosovë. A është duke e ditur Kurti se çka po flet? Apo thjeshtë është freestyling – çka t’i bie në mend qatypërqaty? Shpresoj që këto qëndrime janë të rastësishme.”



