“Lufta presidenciale”: Si nisi përplasja mes Osmanit e disa gazetarëve rreth shkollimit të vajzave?

Një debat i madh ka shpërthyer lidhur me vendimin e presidentes Vjosa Osmani për të dërguar fëmijët e saj në shkollë private, të drejtën e mediave për të xhiruar shkollat dhe fëmijët, veprimet e sigurimit për konfiskimin e pamjeve, si dhe ligjshmërinë e arrestimit të një kameramani. Çfarë ndodhi?

Kameramani i gazetës Paparacci, Jetmir Muji, u arrestua dje gjatë një xhirimi pranë shkollës private Prishtina High School, ku ndjekin mesimet vajzat e Presidentes Vjosa Osmani. Kamera e tij iu konfiskua dhe iu kërkua të fshijë materialet e xhiruara. Drejtori i Paparacit, Vehbi Kajtazi, e përshkruati këtë si një përpjekje për të penguar punën e mediave.

banner

“Kameramani i Paparacit, Jetmir Muji ka shkuar sot te shkolla private Prishtina High school per nje storje per vajzat e presidentes, e cila i ka derguar ne kete shkolle private, por mbrojtja e afert e vajzave te Osmanit ia kane konfiskuar kameren dhe po perpiqen ta detyrojne ti fshije pamjet”, ka shkruar Kajtazi.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka cilësuar arrestimin si arbitrar dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Mujit, duke e parë këtë si një sulm ndaj lirisë së medias.

Reagimet

Juristja e mediave, Flutura Kusari thotë se raportimi mbi përdorimin e burimeve shtetërore për edukimin e fëmijëve të presidentes është interes publik dhe nuk mund të konsiderohet përndjekje.

Kusari shton se ndërhyrja në punën e kameramanit, përfshirë konfiskimin e pajisjeve pa urdhër gjyqësor, është ndërhyrje flagrante në lirinë e shprehjes dhe të medias.

Gazetari Berat Buzhala kritikon trajtimin e privilegjuar të familjes së presidentes, duke përmendur vendbanimin luksoz dhe shkollat private ku ndjekin vajzat.

Buzhala vë në dyshim përdorimin e burimeve shtetërore dhe kostot e sigurisë, duke sugjeruar se trajtimi i figurave publike është më shumë VIP sesa qytetar.

Aktivisti Rron Gjinovci: Ai mbështet masat e sigurisë për vajzat e presidentes, duke theksuar se ato janë të rrezikuara për shkak të punës së nënës së tyre.

Gjinovci kritikon ndjekjen e fëmijëve nga mediat, duke theksuar se kjo nuk mund të konsiderohet gazetari e vërtetë dhe që shkel privatësinë dhe sigurinë e tyre.

Ndërsa, Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar duke e cilësuar veprimin ndaj kameramanit si përndjekje ndaj vajzave të saj dhe të kundërligjshëm. Ajo ka sqaruar se vajzat vijojnë mësimet prej pesë vitesh në shkollën Ismail Qemaili dhe ndryshimi i vendbanimit bëri të nevojshme një shkollë më afër shtëpisë për shkak të rreziqeve të mundshme.

Ngjarja ka ngjallur debate të gjera për raportimin mbi jetën private të familjeve të figurave publike, interesin publik, dhe masat e sigurisë për fëmijët e tyre.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.