Mot i ftohtë me borë në Kosovë, autoritetet paralajmërojnë rrezik në rrugë

Temperaturat zbresin nën zero, rrezik nga ngricat në rrugë dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë.

Sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët me kushte për reshje bore. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat minimale do të lëvizin nga -5 deri në -2 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga -1 deri në 1 gradë. Do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1 deri në 7 metra në sekondë.

banner

Pas fillimit të reshjeve të borës dhe shiut, Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik, për shkak të rrezikut nga ngricat dhe rrëshqitjet në rrugë. Policia ka apeluar që shoferët të mbajnë distancë sigurie mes mjeteve, të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe të ngadalësojnë në rrugët e mbuluara me borë dhe akull.

“Në bazë të situatës aktuale me ndryshime të kushteve atmosferike, reshje shiu dhe bore, apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht shoferët, për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës dhe ngadalësim gjatë lëvizjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Edhe IHMK-ja ka paralajmëruar për ndryshim të theksuar të kushteve meteorologjike, duke theksuar rrezikun nga ngricat në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona me lagështi të lartë.

Fillimisht, reshjet e borës do të shfaqen në viset kodrinore dhe malore, ndërsa më pas, me depërtimin e ajrit të ftohtë, bora pritet të përfshijë edhe viset e ulëta, duke krijuar shtresa bore edhe në zona fushore. Në disa zona malore tashmë janë regjistruar reshje të dendura bore, të cilat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Sipas parashikimeve, temperaturat minimale do të shënojnë rënie të theksuar nën zero gradë Celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte për formimin e ngricave.

Vështirësi më të theksuara në komunikacion pritet të ketë në rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer, ku ekziston rreziku për rrëshqitje dhe ngrirje të shpejtë të sipërfaqeve rrugore.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.