
Një moment historik për trupat shqiptare dhe rajonin, pas 26 vitesh, ushtarët e Shqipërisë nisen drejt Kosovës për të marrë pjesë në misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, publikoi mëngjesin e së premtes foto të ushtarëve shqiptarë gjatë nisjes, duke theksuar se djemtë dhe vajzat e forcave të armatosura mbajnë lart flamurin dhe vlerat e vendit në shërbim të paqes dhe sigurisë.
“Mirëmëngjes nga Kosova me djemtë dhe vajzat tona në misionin e KFOR, ku çdo ditë mbajnë lart flamurin dhe vlerat tona në shërbim të paqes dhe sigurisë”, shkruan ministri në postimin e tij në Facebook.
Gazetari i DW, Bahri Cani, kujton se para më shumë se dy dekadash, të tillë misione ishin të mundshme vetëm për ata më të vendosurit, të gatshëm të japin jetën për liri. Sot, pjesëmarrja e ushtarëve shqiptarë në KFOR tregon se brezat që kanë luftuar për lirinë kanë hapur rrugën për angazhimin e vendit në paqe dhe siguri ndërkombëtare.



