
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas vendimit të Ambasadës Amerikane për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si një zhvillim jashtëzakonisht shqetësues për të ardhmen e vendit.
Përmes një reagimi në Facebook, Pacolli theksoi se Kosova pa një dialog të sinqertë dhe strategjik me Shtetet e Bashkuara nuk ka perspektivë të qëndrueshme.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese komunikata nga Ambasada Amerikane për vendin tonë që posa e lexova. Kosova, pa dialog të sinqertë e strategjik me SHBA, nuk ka të ardhme. Vendi ynë nuk mund të vazhdojë me këtë politikëbërje infantile, e cila po bëhet shkaktare e pezullimit të Dialogut Strategjik me SHBA,” shkroi Pacolli.
Ai shtoi se në një kohë kaq të brishtë globale, udhëheqësia e Kosovës duhet të tregojë maturi dhe të ndjekë udhëzimet e SHBA-së, duke u fokusuar te çështjet thelbësore të mbrojtjes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik në partneritet me aleatin kryesor të vendit.
“Prandaj, apeloj tek të gjithë aktorët relevantë që të kontribuojnë maksimalisht në rikthimin në binar të marrëdhënieve tona me aleatin më të rëndësishëm të Kosovës,” përfundoi Pacolli.



