
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar atë si një ndër zhvillimet më të rënda për vendin në 25 vitet e fundit.
Ai ka theksuar se raportet me SHBA-të nuk janë vetëm marrëdhënie politike, por “amaneti i brezit që i solli Kosovës lirinë dhe shtetin”.
“Ky është sinjal i qartë se besimi me aleatin tonë jetik është cenuar, dhe kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve. Kosova nuk e ka luksin të humbasë Amerikën”, ka shkruar Limaj në Facebook.
Sipas tij, “aleanca me SHBA-në është themeli i sigurisë, zhvillimit dhe të ardhmes sonë. Çdo veprim apo qasje që e dëmton këtë marrëdhënie është veprim kundër interesit kombëtar”.
Limaj ka kërkuar veprime të shpejta për të rikthyer besimin e ndërsjellë dhe për të forcuar partneritetin me SHBA-në.
“Sot është moment reflektimi për institucionet e vendit: duhet kthim në rrugën e bashkëpunimit, transparencës dhe përgjegjësisë. Kërkoj veprime për rikthim urgjent të besimit dhe forcim të partneritetit me SHBA, sepse vetëm krah për krah me aleatët tanë euro-atlantikë mund të garantojmë një të ardhme të sigurt për Kosovën. Ky është detyrim ndaj qytetarëve tanë dhe ndaj sakrificës së brezit që na solli lirinë”, ka përfunduar ai.



