
Historiani nga Kosova, Jusuf Boxhovi, ka deklaruar se krijimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ishte një hap i domosdoshëm për të hetuar krimet e luftës në Kosovë.
Në një lidhje direkte për emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ai kujtoi se gjykata të ngjashme janë ngritur pothuajse në të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, edhe pse në disa raste gjykimet janë cilësuar si farsë.
“Gjykata e Hagës dhe Dhomat e Specializuara nuk kanë zbritur nga qielli. Ka pasur një konkluzion se të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë duhet të krijojnë gjykatat e tyre për të hetuar krimet e luftës”, u shpreh Boxhovi.
Historiani solli në vëmendje faktin se gjatë periudhës nga hyrja e NATO-s në Kosovë deri një vit më pas, janë kryer mbi 600 vrasje që ende nuk janë hetuar plotësisht.
“Janë vrarë 106 aktivistë të LDK-së, 116 anëtarë të UÇK-së – përfshirë disa komandantë – si dhe rreth 400 pjesëtarë të komuniteteve minoritare. Shumë prej tyre nuk dihet pse dhe kush i ka vrarë. Kanë kaluar disa vite dhe Kosova nuk i ka kryer këto hetime”, theksoi ai.
Boxhovi shtoi se, ndryshe nga Kosova, Serbia, Kroacia dhe shtetet e tjera të rajonit kanë zhvilluar gjykime, edhe pse shpesh janë konsideruar të padrejta ose të motivuara politikisht.
Sipas tij, themelimi i Dhomave të Specializuara ishte i pashmangshëm për shkak të mungesës së hetimeve vendore, megjithatë, në praktikë shpesh perceptohet më shumë si një “qërim hesapesh mes forcave politike”.



