
Sala Jashari, deputete e PDK, ka folur për situatën politike pas mungesës së konstituimit të Kuvendit.
Jashari ka vlerësuar se mungesa e seriozitetit për themelimin e institucioneve është shqetësuese.

Postimi i plotë:
Orët e fundit për ta konstituar Kuvendin kanë filluar.
Vonesat dhe mungesa e seriozitetit për t’i dhënë Kosovës institucionet funksionale janë thellësisht shqetësuese.
Durimi i qytetarëve nuk mund të merret si i pakufishëm. Prandaj, bëj thirrje që sa më shpejt të reflektohet dhe mbi çdo interes tjetër të vendoset interesi i shtetit.
Në thelb, edhe nëse partitë politike nuk kanë shumëçka tjetër të përbashkët, duhet të kenë një interes të përbashkët: Kosovën.
Ai që ecën vetëm, nuk i shërben askujt. Kosova ka nevojë për bashkëpunim, përgjegjësi dhe vullnet politik për të tejkaluar këtë ngërç institucional.
Rreziku është që këto skenarë të përsëriten dhe kjo të bëhet një nga dobësitë tona më të mëdha politike, ndërsa qytetarëve t’u servohet vetëm zhgënjim dhe zemërim.
Qytetarët janë të ngopur më arsyetime. Atyre u duhen institucione, përgjegjësi dhe shpresë.



