
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është shndërruar në “shkatërruese të themeleve institucionale të shtetit”.
Hamza i bëri këto komente në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së të mbajtur të hënën, ku është diskutuar për situatën politike dhe institucionale në vend.

Sipas PDK-së, Kosova po përballet me një krizë të thellë kushtetuese e institucionale, ndërsa shpërfillja e Kushtetutës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Rregullores së Kuvendit dhe afateve detyruese përbën cenim serioz të funksionimit demokratik të shtetit.
“Vetëvendosja është shndërruar në shkatërruese të themeleve institucionale të shtetit. Kur shpërfillen Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja e Kuvendit dhe afatet detyruese, nuk kemi më të bëjmë me një mosmarrëveshje të zakonshme politike. Po goditet vetë rendi mbi të cilin qëndron shteti ynë”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka thënë se fillimisht nuk është përmbushur detyrimi për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, ndërsa sipas tij, edhe pas përfundimit të këtij afati po vazhdon mosrespektimi i procedurave institucionale.
“Nuk mund të sillemi sikur kemi normalitet. Nuk ka normalitet”, ka thënë Hamza.
Ai ka shtuar se, sipas tij, kjo çështje nuk është betejë partiake, por lidhet me mbrojtjen e rendit kushtetues.
“Kjo nuk është betejë për interesin e PDK-së dhe as konflikt mes dy partive. Kjo është çështje e mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kushtetutës dhe institucioneve të saj”, ka deklaruar Hamza.



