
Shtetasi i Kosovës, Fehim Sali, i cili u arrestua sot në Merdar, dyshohet se ka bashkëpunuar me Agjencinë Serbe të Inteligjencës (BIA) për një periudhë të gjatë, ka mësuar KOHA me burime.
E Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka raportuar se i dyshuar ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me zyrtarin e BIA-s, Zelmir Matoviq.

Po ashtu, siç raporton RTK-ja, dyshohet se më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes. Gjithashtu dyshohet se është marrë edhe me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe dhe se është angazhuar në grumbullimin e votave për mbështetësit e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
KOHA ka kontaktuar me Prokurorinë Speciale për t’i konfirmuar këto informacione. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.
Ndërkaq në mars të vitit 2021, KOHA pati raportuar se Fehim Sali ishte suspenduar nga puna e tij si mësues në shkollën fillore “9 Maji”, në sistemin paralel, në fshatin Rapçë të Dragashit, pasi kishte shpallur kandidaturën në listën e subjektit goran “ Zajeno”. Siç kishte deklaruar Sali, ai kishte marrë kërcënime dhe ishte përballur me presion nga subjekti tjetër goran, JGP, që, sipas tij, gëzonte mbështetje të strukturave paralele në Dragash, si dhe të Listës Serbe. Lidhur me rastin ai e kishte përmendur edhe emrin e ish-deputetës së Listës Serbe, Jasmina Dediq.
Sali ishte kthyer më pas në punë, ndërkaq KOHA pati marrë vesh që hetimi ishte mbyllur për shkak se Sali nuk kishte qenë i gatshëm të dëshmojë pas rikthimit në punë./KOHA



