
Valter Lavitola ka pranuar se ishte organizatori i sulmit me bombë në shtëpinë e gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci.
Një biznesmen italian ka pranuar se ishte organizatori i një sulmi me bombë në shtëpinë e Sigfrido Ranuccit, një gazetari të njohur investigativ, duke pretenduar se qëllimi ishte që atij t’i shtohej mbrojtja e sigurisë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Politika.

Valter Lavitola, i cili ishte mik me Ranuccin, drejtuesin e emisionit investigativ Report, që transmetohet nga televizioni publik italian Rai, ua ka bërë këtë pranim hetuesve pas arrestimit të tij në fillim të kësaj jave në lidhje me rastin, ka thënë për mediat italiane avokati i biznesmenit, Sergio Cola.
Fillimisht ishte menduar se pas sulmit të tetorit të vitit të kaluar qëndronte mafia, kur një bombë e improvizuar, por e fuqishme, shpërtheu jashtë shtëpisë së Ranuccit në një qytezë pranë Romës, duke ia shkatërruar pothuajse plotësisht veturën e tij dhe një tjetër që i përkiste vajzës së tij.
Katër persona të tjerë, të cilët dyshohet se ishin angazhuar nga Lavitola, u arrestuan në fund të qershorit nën dyshimin se e kishin kryer sulmin.
Cola tha se Lavitola e kishte organizuar sulmin me qëllim që t’i shtohej niveli i mbrojtjes së sigurisë së Ranuccit, në një kohë kur ai po përballej me kërcënime për jetën nga mafia.
“E bëri për të mirën e Ranuccit, sepse ai ishte shënjestër e sulmeve”, tha ai, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Politika.
Lavitola i mohoi pretendimet se motivi i sulmit kishte qenë rritja e popullaritetit të Ranuccit, me synimin që ai të hynte në politikë, gjë nga e cila dyshohet se edhe vetë Lavitola shpresonte të përfitonte.
Pretendimet janë paraqitur në një raport hetimor, të cilin e ka parë The Guardian, ku përfshiheshin edhe biseda telefonike, mes tyre një në të cilën Lavitola dyshohet se i thotë Ranuccit: “Brenda dy vjetësh do të jesh kryeministër.”
Hetuesit nuk kanë sugjeruar në asnjë moment se Ranucci, i cili më herët kishte shprehur tronditje për përfshirjen e dyshuar të Lavitolës, kishte dijeni për komplotin.
Ranucci, hetimet e të cilit për emisionin Report përqendrohen në raste të dyshuara të krimit dhe korrupsionit, shpesh duke përfshirë edhe ministra të qeverisë, ka ngritur padi për shpifje ndaj komentuesve dhe politikanëve të paidentifikuar, të cilët e akuzuan se e kishte inskenuar sulmin për përfitime personale.
Avokati i tij, Roberto De Vita, tha se nëse pretendimet lidhur me motivin e Lavitolës janë të sakta, atëherë Ranucci është “viktimë e trefishtë”.
“Ai është viktimë e një sulmi të rëndë dhe të rrezikshëm, e një tradhtie, e faktit se është shfrytëzuar nga një mik në një shfaqje delirante çmendurie dhe, së fundi – por ndoshta më e rënda – e një fushate masive dhe të vazhdueshme linçimi mediatik e politik, e cila, përmes hamendësimeve dhe insinuatave, është përpjekur ta paraqesë viktimën si përfitues, pak a shumë të vullnetshëm, të vetë sulmit.”
Rasti është zhvilluar në një kohë kur në Itali po zhvillohet një debat më i gjerë për lirinë e shtypit dhe sigurinë e gazetarëve.
Ranucci ka folur hapur për ndërhyrjet e pretenduara të qeverisë së djathtë ekstreme të Giorgia Melonit në Rai. Transmetuesi publik nisi një auditim të brendshëm mbi metodat e tij gazetareske pasi, në fillim të korrikut, u bë e ditur se Lavitola po merrej në pyetje në lidhje me sulmin me bombë. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka kërkuar që Ranucci të pezullohet.
Janë ngritur gjithashtu pikëpyetje për marrëdhënien e Ranuccit me Lavitolën, një ish-gazetar që zotëron një restorant në Romë. Ata u bënë miq në vitin 2019, pasi Ranucci zhvilloi një hetim gazetaresk për Lavitolën, i cili në të kaluarën është përfshirë në disa procese gjyqësore, përfshirë një rast që përfundoi me dënimin e tij për zhvatje ndaj ish-kryeministrit të ndjerë Silvio Berlusconi.
Ranucci i tha gazetës Corriere della Sera në fillim të korrikut se “nuk e kishte fshehur kurrë” miqësinë, duke e përshkruar atë ndoshta si një rast të “sindromës së Stokholmit”.



