
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur ashpër kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, pas kritikave të tij ndaj saj dhe Avdullah Hotit.
Bajrami e ka quajtur Abdixhikun “humbës të trefishtë”, duke e akuzuar për humbje të njëpasnjëshme zgjedhore, degradim dhe përçarje të partisë.

“Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet, dhe ambiciet në LDK”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka thënë se ishte rezervuar të fliste për Abdixhikun, por se tani po i përgjigjet “me argumente”.
“Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi”, ka shkruar ajo.
Sipas Bajramit, Abdixhiku është dashur të largohej nga drejtimi i LDK-së pas humbjeve zgjedhore.
“Kur i humbët zgjedhjet e para, duhej ta mbanit premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar. Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër. Dhe kur shënuat një tjetër rekord humbjesh më 7 qershor, duhej të largoheshit nga udhëheqja e LDK-së, kokulur”, ka thënë ajo.
Bajrami është pajtuar me deklaratën e Abdixhikut se “shteti nuk rrotullohet rreth një ambicieje personale”, por ka thënë se problemi kryesor është mënyra se si, sipas saj, po qeveriset vendi.
Ajo ka përmendur tejkalimin e afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, ministrat që kanë marrë mandate deputetësh, funksionimin e ministrive që sipas saj nuk figurojnë në Ligjin e Buxhetit, bllokimin e institucioneve dhe shkeljen e normave kushtetuese e ligjore.
Bajrami ka kritikuar gjithashtu gjendjen në arsim, inflacionin, tenderët njëburimorë, raportet me Bashkimin Evropian dhe politikën e jashtme.
“Pajtohem: s’rrotullohet shteti për një ambicie. Pikërisht për këtë arsye, le të flasim për shtetin, por, fillimisht, duhet ta bëjmë dallimin mes shtetit dhe karriges. T’i kthehemi shtetit!”, ka përfunduar Bajrami.



