
Komandanti i KFOR-it në largim, gjeneral major Enrico Barduani, thekson se mungesa e dialogut rrezikon të kthejë çështjet politike në çështje sigurie dhe kërkon sjelljen para drejtësisë të autorëve të sulmit në Banjskë.
Komandanti i forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneral major Enrico Barduani, ka deklaruar se mbyllja e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk është vetëm çështje sigurie, por kryesisht politike. Ai theksoi se vendimi për hapjen ose jo të saj duhet të merret përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe në koordinim me komunitetet lokale dhe atë ndërkombëtar.
Në një intervistë për RTV21, në përfundim të mandatit të tij në Kosovë, gjenerali italian foli për sfidat e sigurisë, tensionet në veri dhe rolin e KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit. “Mungesa e dialogut kuptimplotë mes Kosovës dhe Serbisë rrezikon të kthejë çështjet politike në çështje sigurie”, tha Barduani, duke shtuar se ngërçi aktual ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e rajonit.
Ai rikujtoi sulmin e vitit 2023 në Banjskë dhe mbi trupat e KFOR-it, duke nënvizuar se autorët duhet të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë. Barduani theksoi gjithashtu se Serbia është e detyruar të respektojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe marrëveshjen teknike ushtarake të vitit 1999, duke shtuar se “Beogradi i di vijat e kuqe në Kosovë”.
Sa i përket pranisë së trupave serbe në kufi, ai tha se KFOR-i monitoron situatën nga afër përmes patrullimeve dhe kontakteve të rregullta me forcat e armatosura serbe, duke ruajtur komunikim dhe transparencë për të shmangur përshkallëzimin.
Duke reflektuar mbi shërbimin e tij, Barduani tha se Kosova mbetet një vend me potencial të madh dhe një dëshirë të fortë të qytetarëve për paqe dhe stabilitet. “Rruga për të arritur këtë nuk është ushtarake, por politike. Roli ynë është të krijojmë kornizën që e bën të mundur këtë dialog”, u shpreh ai.
Gjenerali Barduani përfundoi mandatin e tij duke siguruar se angazhimi i NATO-s për stabilitetin në Kosovë dhe rajon mbetet i qëndrueshëm, ndërsa KFOR-i do të vazhdojë të jetë një shtyllë kyçe e paqes në Ballkanin Perëndimor.



