
Avokati Tomë Gashi ka komentuar deklarimet rreth mundësisë së shfuqizimit të Gjykatës Speciale.
Në “KallxoPërnime” ai tha se ndryshimi apo shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale nuk mund të bëhehet nga Kuvendi i Kosovës apo nga vetë shteti. Sipas tij, një mundësi e tillë është vetëm nga institucionet brenda Bashkimit Evropian.
“I vetmi ilaç juridik është me punu sa më fuqishëm, sa më drejt dhe sa më mirë që me shfuqizu këtë aktgjykim në instancën e apelit, krejt çfarë thomë tjetër është e kotë” – tha Gashi në “KallxoPërnime” të premten më 18.09.2026.
Tutje, ai ka komentuar edhe deklarimet nga avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre-Richard Prosper, i cili tha se Kuvendi i Kosovës duhet ta shfuqizojë Gjykatën Speciale.
“Shumë më ka bërë nervoz deklarata e avokatit të z. Hashim Thaçi, që thotë që nëse do të ishte ai pjesë e Parlamentit të Republikës së Kosovës qysh ditën e nesërme do të kërkonte shpërbërjen e Gjykatës Speciale, në këtë gjykatë që ka dështuar ta mbrojë në mënyrë efektive vetë klientin e vet, do të thotë, ai po na mëson neve çka duhet me bë” – ka thënë Gashi.
“Ai e din më mirë se unë, nëse e ka lexu ligjin për Gjykatën Speciale që këto kanë përfunduar më 3 gusht të vitit 2015, institucionet e Kosovës nuk mund ta ndryshojnë asnjë pikë, asnjë presje, asnjë fjalë e asnjë fjali në Ligjin për Gjykatën Speciale, kjo na ka ikë, nuk mund të ketë kurrfarë ndryshimi” – deklaroi avokati Tomë Gashi.
“As 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk mund ta ndryshojnë Ligjin për Gjykatën Speciale, kjo është e përhershme, vetëm institucionet përkatëse brenda Bashkimit Evropian mund të thonë stop se kemi përfunduar” – ka deklaruar ai.
Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan nga Gjykata Speciale më 16.09.2026. Ky dënim po përcillet me protesta të përditshme në Kosovë.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.
Gjykata e shpalli atë përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë.
Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Ai u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim. Trupi gjykues e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Ky dënim është shqiptuar në shkallën e parë dhe palët kanë të drejtë ankese në Apel.



