
Analisti politik serb, Dushan Janjiq, ka deklaruar se Kosova nuk ka qenë temë kryesore e fushatës për zgjedhjet parlamentare që mbahen të dielën në Serbi.
Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Janjiq e ka vlerësuar pozitivisht faktin që çështja e Kosovës nuk është përdorur si temë qendrore zgjedhore.
“E mira e këtyre zgjedhjeve është se Kosova nuk është tema kyçe. Ndoshta është e çuditshme. Është vërtet mirë se Kosova nuk është temë. Vetëm në manipulimin e Vuçiqit, që akuzon të tjerët se ata po thonë se Kosova është e humbur”, ka deklaruar ai.
Duke folur për Listën e Studentëve, të cilën e ka konsideruar si favoriten e zgjedhjeve, Janjiq ka thënë se programi i saj lë të kuptohet se ajo do ta pranonte realitetin lidhur me Kosovën.
“Duhet të ketë një, do të thosha, proces dialogu ose negociatash, dhe ky nuk është vetëm një proces normalizimi”, ka thënë Janjiq.
Gjatë intervistës, ai ka folur edhe për fushatën zgjedhore, raportet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq me Milan Radoiçiqin, si dhe për pjesëmarrjen e përbashkët të partive shqiptare të Luginës së Preshevës në një listë të vetme.



