
Ish-deputeti demokrat konfirmon lidhjen me moderatoren Grida Duma dhe shprehet se martesa nuk është kusht për të qenë bashkë. “E rëndësishme është ndjesia dhe kimia, jo kontrata,” tha ai.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur hapur për herë të parë për lidhjen e tij me moderatoren dhe ish-kolegen e partisë, Grida Duma. Në një intervistë për Top Albania Radio, ai shprehu krenarinë dhe respektin për partneren e tij, duke e quajtur “fat” që e ka në jetën e tij.
“Jam shumë krenar. Është fat dhe pjesë e botëkuptimit tim,” u shpreh Salianji, kur u pyet se sa krenar ndihet për Dumën.
Në lidhje me martesën, ish-deputeti theksoi se për të, dashuria nuk matet me një akt formal. “Unë mendoj se si të vjen apo varet se ku të vjen! Njeriu duhet të jetë i lirë dhe të zgjedhë rrugën e vet. Nuk bën vetëm martesa që dy njerëz të jenë me njëri-tjetrin. Në aspektin e bashkëjetesës, nuk mendoj se bën ndonjë ndryshim,” deklaroi ai.
Salianji tha gjithashtu se beson në dashuri dhe e sheh atë si ndjenjë të thellë shpirtërore, jo si marrëveshje. “Unë jam njeri besimtar. Besoj në Zot dhe besoj se dashuria ekziston, nuk është vetëm në libra. Nuk e shoh si diçka kontratuale. Për mua është e rëndësishme kimia, ndjesia, gjithçka që lidhet me shpirtin,” shtoi ai.
Deklaratat e Salianjit vijnë pas spekulimeve të shumta në media për lidhjen e tij me Grida Dumën, e cila prej kohësh ka lënë politikën për të ndjekur karrierën në fushën e medias.



