
Mesfushori i Zvicrës paralajmëron se skuadra e tij nuk do të lejojë një fitore historike të Kosovës në Prishtinë për kualifikim direkt në Kupën e Botës 2026.
Mesfushori Granit Xhaka ka folur për situatën e vështirë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ku Zvicra ka një “këmbë” tashmë në turne, ndërsa Kosova ka nevojë të fitojë me rezultatin 6-0 në Prishtinë për ta rrëzuar nga pozita e parë.
Për mediat zvicerane, Xhaka ka qenë i qartë: “Në futboll, kemi parë shumë gjëra. Por, nuk duam të bëjmë historinë. Duhet ta mposhtësh Zvicrën 6-0 fillimisht. Nëse ata (Kosova) e menaxhojnë, atëherë është faji ynë,” ka deklaruar ai, duke u shprehur për “Blick.ch”.
Mesfushori shqiptar ka konfirmuar gjithashtu se Kupa e Botës 2026 do të jetë e fundit për të me fanellën e Zvicrës, duke theksuar se përvoja e tij do t’i ndihmojë lojtarët e rinj: “Edhe nëse është, ka të bëjë vetëm që t’i shtyjmë lojtarët e rinj nga jashtë me eksperiencën time”.
Xhaka komentoi edhe një episod të diskutueshëm nga ndeshja Zvicër – Suedi, ku suedezët u ndjenë të dëmtuar nga penalltia e akorduar: “Suedia e bëri një gabim serioz. Ndonjëherë është më mirë të fokusohesh në atë se çfarë të bësh më mirë ti, se të ankohesh për gjyqtarët”.
Tani, Xhaka do të udhëtojë së bashku me skuadrën e Zvicrës për në Prishtinë, ku të martën do të zhvillohet përballja vendimtare me Kosovën.



