
Ish-deputetja e LDK-së rikthen kujtimet e saj nga takimi i fundit me gazetarin e vrarë, duke përshkruar momentin tragjik të 25 viteve më parë.
Doruntinë Maloku, ish-deputete e LDK-së dhe vajza e gazetarit të vrarë Enver Maloku, ka kujtuar sot Xhemail Mustafën në 25-vjetorin e vrasjes së tij. Në një rrëfim prekës, ajo rikujtoi takimin e fundit me Mustafën në zyrat e Forumit të Rinisë së LDK-së në Kompleksin Qafa.
“Ku je moj – Hajde të përqafi këtu”, tha Doruntinë, duke përshkruar përqafimin e fundit me Axhën Xhemë. Ai i kishte shprehur dhimbjen e tmerrshme të kokës, ndërsa ajo i ofroi ndihmë, duke mos e ditur se ky do të ishte takimi i fundit. Një orë më vonë, lajmi për vrasjen e tij e goditi thellë.
“U ngjita shkallëve të zyrës, sikur doja ta gjeja aty, ulur pranë kompjuterit. Atë ditë, mu duk se Babi u vra për së dyti!”, kujton Maloku. Ajo nënvizon se të dy, Xhemail Mustafa dhe babai i saj, ndanë fatin e njëjtë: intelektualë, gazetarë dhe shefa të QIK-ut, të vrarë për shkak të fjalës së lirë dhe bindjeve të tyre politike.
Doruntinë Maloku thekson se Republika ka borxh ndaj këtyre heronjve, të cilët dhanë jetën për Kosovën, dhe shpreh se Xhemail Mustafa “është i gjallë ndër të gjallët, përjetësisht”.



