
Kampionia olimpike nga Peja mposhti izraeliten Gefen Primo me Wazaari dhe tashmë synon finalen kundër rivales Reka Pupp.
Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, ka vazhduar paraqitjet e saj të shkëlqyera në Abu Dhabi Grand Slam 2025, duke siguruar kalimin në gjysmëfinale. Xhudistja pejane arriti të triumfojë me Wazaari kundër izraelites Gefen Primo, në një duel të fortë dhe teknik, duke dëshmuar edhe njëherë klasën e saj në kategorinë -52 kg.
Në gjysmëfinale, Krasniqi do të përballet me hungarezen Reka Pupp, një rivale me përvojë dhe kundërshtare e fortë në garat ndërkombëtare. Fitorja e radhës do t’i hapte rrugën kampiones kosovare drejt finales së madhe dhe një tjetër medaljeje të rëndësishme në karrierë.
Distria mbetet një ndër sportistet më të suksesshme të Kosovës, dhe paraqitja e sotme konfirmon formën e saj të jashtëzakonshme në arenën botërore të xhudos.



