
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si momentin më të vështirë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran,” u shpreh Abdixhiku në një reagim publik.
Ai akuzoi qeverinë kujdestare për, siç tha, “shkatërrim të shtetit, bllokim historik dhe shkelje të Kushtetutës, ligjeve dhe normave morale njerëzore”, duke shtuar se udhëheqja aktuale ka zgjedhur “të ndërtojë rrugëtimin e saj mbi krizën e përhershme dhe fatkeqësinë e Republikës.”
Abdixhiku theksoi se qytetarët e Kosovës nuk ndajnë këtë qasje dhe bëri thirrje për unitet politik e shoqëror:
“Është koha të bashkohemi të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë – para se të bëhet vonë për të gjithë.”
Kreu i LDK-së premtoi se partia e tij do të ruajë rrugën euroatlantike të vendit dhe miqësinë e përhershme me SHBA-në, duke premtuar rikthimin e Kosovës “në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë”.
“Le t’i japim dritë Republikës sonë të përhershme,” përfundoi ai.



