
Deputeti i Lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut ka drejtuar akuza të rënda ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe liderit të saj, Ali Ahmeti. Gjatë një replike në seancë parlamentare, ai tha se BDI-ja po e paraqet veten si mbrojtëse e shqiptarëve, por në realitet ka vepruar kundër interesave të tyre.
“Kush është më pro-serb dhe pro-rus se ju (BDI)? Edhe lideri juaj është një hipokrit i paparë, që mbi vete merr meritat e të tjerëve, madje edhe të luftës,” u shpreh ai.
Deputeti shtoi se gjatë një tubimi ku kërkoheshin votat e pakicave, Ali Ahmeti kishte deklaruar: ‘Rroftë populli serb’.
“Mos u bëni hipokritë. Nuk jeni ju ata që i mbroni shqiptarët. Ju keni bërë vetëm vrasje, montime, eliminime. Jeni pasuruar, keni bërë xhipa, resorte, vikendica,” tha më tej deputeti i Besës.
Ai përfundoi duke theksuar se BDI nuk mund të flasë për orientim properëndimor, pasi sipas tij, drejtues të saj ndodhen në lista të zeza dhe përballen me akuza të mëdha për korrupsion.



